Informacion i përgjithshëm lidhur me zgjedhjet
Në Finlandë mbahen pesë lloje zgjedhjesh: zgjedhjet rajonale, zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet për Parlamentin Evropian, zgjedhjet bashkiake dhe zgjedhjet presidenciale.
Zgjedhjet e ardhshme: Zgjedhjet parlamentare të vitit 2027
Votimi paraprak: 7–13 prill 2027
Dita e zgjedhjeve: 18 prill 2027
Zgjedhjet dhe e drejta për të votuar
Votimi
Nëse keni të drejtë të votoni, do të merrni një njoftim për të drejtën e votës. Ky njoftim ju dërgohet me postë ose në mënyrë elektronike përmes shërbimit Suomi.fi.
Mund të zgjidhni të votoni paraprakisht ose në ditën e zgjedhjeve. Në Finlandë nuk ofrohet votim elektronik.
Udhëzime të përgjithshme për votimin
- Nuk është e nevojshme ta merrni me vete njoftimin për të drejtën e votës kur shkoni për të votuar.
- Mjafton të keni me vete një dokument identifikimi, si kartë identiteti, leje drejtimi ose pasaportë. Nëse nuk keni dokument identifikimi, mund të pajiseni falas në polici me një kartë identiteti të përkohshme për të votuar.
- Nuk keni detyrim t’i tregoni askujt se për kë votoni. Zgjedhja e kandidatit është tërësisht vendimi juaj. Askush nuk ka të drejtë t’ju ushtrojë presion gjatë votimit.
- Në kabinën e votimit duhet të hyni gjithmonë vetëm.
- Në fletën e votimit shkruani numrin e kandidatit që keni zgjedhur. Mos shkruani asgjë tjetër në fletën e votimit.
Nëse keni nevojë për udhëzime ose ndihmë, drejtojuni zyrtarëve zgjedhorë në qendrën e votimit.
Votimi paraprak
Mund të votoni në cilëndo qendër të votimit paraprak në Finlandë. Mjafton të merrni me vete një dokument identifikimi.
Listën e qendrave të votimit paraprak në Vantaa dhe oraret e tyre mund t’i gjeni këtu (në finlandisht): vantaa.fi/ennakkoaanestys
Kur të jeni në qendrën e votimit, veproni si më poshtë:
- Paraqitini dokumentin e identifikimit zyrtarit zgjedhor. Ai do ta kontrollojë dhe do t’ju japë fletën e votimit.
- Hyni në kabinën e votimit. Shkruani qartë numrin e kandidatit që keni zgjedhur. Mos shkruani asgjë tjetër në fletën e votimit.
- Paloseni fletën përgjysmë, në mënyrë që numri të mos shihet nga askush.
- Kthehuni te zyrtari zgjedhor. Ai do ta vulosë fletën e votimit dhe do t’ju japë një zarf ngjyrë kafe.
- Vendoseni fletën e vulosur brenda zarfit dhe mbylleni.
- Nënshkruani formularin që ju paraqet zyrtari zgjedhor. Me nënshkrimin tuaj konfirmoni se e keni plotësuar vetë fletën e votimit, se ajo është vulosur dhe se e keni vendosur në zarf.
- Në fund, zyrtari zgjedhor do ta fusë zarfin me fletën e votimit dhe formularin në një zarf të jashtëm të verdhë. Ky zarf do t’i dërgohet komisionit qendror zgjedhor të bashkisë ku keni vendbanimin e regjistruar.
Votimi në ditën e zgjedhjeve
Në ditën e zgjedhjeve, qendrat e votimit janë të hapura nga ora 9:00 deri në orën 20:00.
Mund të votoni vetëm në qendrën e përcaktuar në njoftimin tuaj për të drejtën e votës. Mjafton të merrni me vete një dokument identifikimi.
Kur të jeni në qendrën e votimit, veproni si më poshtë:
- Paraqitini dokumentin e identifikimit zyrtarit zgjedhor. Ai do ta kontrollojë, do të gjejë emrin tuaj në listën e zgjedhësve dhe do t’ju japë fletën e votimit.
- Hyni në kabinën e votimit. Shkruani qartë numrin e kandidatit që keni zgjedhur. Mos shkruani asgjë tjetër në fletën e votimit.
- Paloseni fletën përgjysmë, në mënyrë që numri të mos shihet nga askush.
- Kthehuni te zyrtari zgjedhor. Ai do ta vulosë fletën e votimit.
- Hidheni fletën e vulosur në kutinë e votimit.
Votimi në shtëpi
Nëse një sëmundje ose aftësi e kufizuar jua bën shumë të vështirë të shkoni në qendrën e votimit, mund të votoni në shtëpi.
Për këtë, duhet të regjistroheni pranë komisionit qendror zgjedhor të bashkisë suaj. Numrin e telefonit e gjeni në njoftimin për të drejtën e votës. Për hollësi të mëtejshme rreth votimit në shtëpi, kontaktoni komisionin qendror zgjedhor të bashkisë.